Storie suksesi

Storie suksesi

Osman Haliti është nxënës i klasës së 10-të në drejtimin shpedicion dhe logjistikë në shkollën “Isa Boletini” në Podujevë.
Osmanit i mungonte motivimi i mjaftueshëm për arsimim, gjë që bëri që ai të mos ketë rezultate të mira në shkollë, por takimet e para që Osmani i mbajti me mentorin e tij Bedri Mustafa, në kuadër të projektit “Mentorimi i nxënësve të shkollave të mesme” i cili financohet nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Ndërtimi i Kapacitetit për Arsim Gjithëpërfshirës – INCLUDE” dhe implementohet nga organizata jonë, e ndihmuan atë që ta kthejë performancën e tij në shkollë.
Përveç kësaj takimet i ndihmuan Osmanit që ta zbulojë edhe pasionin e tij për lexim, kështu ai u bë një lexues i rregullt në bibliotekën e shkollës. Në frymën e këtij motivimi Osmani madje filloi të mësojë edhe gjuhën gjermane dhe të mendojë për qëllimet e tij të ardhshme në karrierë.
Mentori i Osmanit, Bedri Mustafa, vuri në dukje se projekti për pak muaj ka pasur ndikim pozitiv jo vetëm tek Osmani, por edhe tek nxënësit tjerë që i mentoron.
Historia e suksesit të Osmanit dhe nxënësve të tjerë që janë pjesë e programit të mentorimit është një dëshmi për rëndësinë e investimit në arsim dhe ofrimin e mbështetjes për nxënësit e komuniteteve të margjinalizuara.
Projekti “Mentorimi i nxënësve të shkollave të mesme” ka filluar në dhjetor të 2022 dhe do të zgjasë deri në nëntor të vitit 2023. Nga ky projekt kanë përfituar 300 nxënës të shkollave të mesme nga radhët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.
Qëllimi i projekti të mentorimit është përmirësimi i nivelit të arsimimit të të gjithë nxënësve të komuniteteve të regjistruar në shkollat e mesme, zhvillimin e aftësive të komunikimit tek nxënësit, integrim në mjedisin shkollorë, orientim në karrierë, dhe sensibilizimin e prindërve mbi rëndësinë e edukimit për fëmijët e tyre.
Pikëpamjet e shprehura nuk mund të konsiderohen në asnjë mënyrë se pasqyrojnë opinionin zyrtar të Bashkimit Evropian apo të Këshillit të Evropës.