Dizajnimi i Projektit Ideor për Qendrën Multikulturore

Dizajnimi i Projektit Ideor për Qendrën Multikulturore

                                 
Dizajnimi i Projektit Ideor për Qendrën Multikulturore

  1. Hyrje

Popullsia rome, ashkalike dhe egjiptiane në Ballkanin Perëndimor vazhdon të konsiderohet si një nga pakicat më të prekshme në Evropë. Në Kosovë, shumë romë, ashkalinj dhe egjiptianë nuk e kanë statusin e barabartë në shoqëri, duke u përballur me arsim jo-adekuat, varfëri ekstreme, papunësi jashtëzakonisht të lartë, vështirësi për të siguruar kushte të mira për banim, përjashtim dhe diskriminim të shumëfishtë.

Qendra Kulturore Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane synon të edukojë shoqërinë në përgjithësi për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianë në vendin tonë, nevojën për të festuar dhe ruajtur trashëgiminë, artin dhe traditat e pasura të komuniteteve duke nxitur kohezionin social, duke promovuar mirëkuptimin dhe duke luftuar diskriminimin. Kjo qendër kulturore do të kontribuojë në ndërtimin e urave midis kulturave të ndryshme dhe promovimin e harmonisë sociale në shoqërinë e gjerë. 

Krijimi i një qendre kulturore padyshim do të ketë një ndikim pozitiv dhe afatgjatë në strukturën sociale dhe ekonomike në Prishtinë e më gjerë. Ajo do të përfaqësojë trashëgiminë tonë të përbashkët, do të promovojë artin, kulturën dhe do të nxisë një ndjenjë uniteti dhe krenarie mes qytetarëve. Për më tepër, kjo qendër kulturore do të shërbejë jo vetëm si një institucion edukimi për gjeneratat e reja, të cilët do të kenë mundësinë të zgjerojnë njohuritë e tyre rreth historisë dhe kulturës së komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian që jetojnë në vendin tonë, por do të shërbejë edhe si një atraksion turistik i cili është i domosdoshëm.

Thirrja ka për qëllim të ftojë të gjithë studentët e arkitekturës apo arkitektët e rinj të prezantojnë projektet ideore para një paneli profesionistësh për ndërtimin e Qendrës Multikulturore në Komunën e Prishtinës.

 

  1. Objektivat e Thirrjes

Objektivat kryesore të garës përfshijnë:

  • Inkurajimin e zhvillimit të zgjidhjeve/projekteve inovative arkitektonike për një qendër multikulturore që përfaqëson diversitetin dhe nxit gjithëpërfshirjen e grupeve të ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë;
  • Zhvillimin e vizionit për një objekt funksional dhe me një arkitekturë moderne që plotëson nevojat e të gjithë qytetarëve;
  • Stimulimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet studentëve të arkitekturës, pedagogëve, profesionistëve dhe palëve të interesuara mbi rëndësinë e hapësirave multikulturore.

  1. Fusha e Punës

Qëllimi i punës përfshinë:

  • Hartimin e një Projekti Ideor të objektit me destinim për qendrën multikulturore e cila duhet të përmbajë hapësira funksionale, që ofrojnë komoditet dhe mundësi për zhvillimin e aktiviteteve dhe ngjarjeve multikulturore, duke respektuar prezantimin e kontekstit kulturor, social dhe mjedisor;
  • Përgatitja e Planit Ideor Arkitektonik;
  • Maketa e Projektit Ideor;
  • Përshkrimi Teknik, përveç pjesës teknike të projektimit, duhet të përshkruajë (500-1000 fjalë) vizionin dhe ndikimin e Qendrës Multikulturore tek qytetarët;
  • Pjesa tekstuale e projektit ideor duhet të përmbajë përshkrimin përmbledhës të projektit, posaçërisht materialet e propozuara, instalimet dhe pajisjet teknologjike që i shërbejnë ndërtimit duke mbrojtur mjedisin.

 

  1. Kërkesat

Kërkesat dhe produktet që priten të dorëzohen përfshijnë:

  • Dosja e dizajnit ideor arkitektonik;
  • Plani i situacionit, në përpjesë 1:200;
  • Planimetria e suterenit/përdhesës, në përpjesë 1:100;
  • Prerjet, në përpjesë 1:100;
  • Dukjet, në përpjesë 1:100;
  • 3D-ja e objektit, përveç eksterierit duhet të përfshijë edhe pjesë të enterierit.
  1. Kriteret e Vlerësimit

Kriteret e vlerësimit përfshijnë:

  • Kreativiteti dhe ideja inovative e zhvilluar nëpërmjet dizajnit arkitektonik;
  • Funksionaliteti: për zhvillimin e aktiviteteve dhe programeve të ndryshme multikulturore që do të zhvillohen;
  • Integrimi i elementeve kulturore, veçorive të aksesueshmërisë dhe kohezionit social;
  • Qëndrueshmëria dhe ndikimi në mjedis, zbatimi i elementeve për efikasitet energjetik dhe miqësor ndaj ambientit përreth;
  • Prezantimi dhe arsyetimi nga projektuesi për ndikimin direkt dhe indirekt të Qendrës Multikulturore në shoqërinë multietnike që jeton në Kosovë, si dhe prezantimi teknik duke përfshirë të gjitha hollësitë e Projektit Ideor.

  1. Afati i Dorëzimit

- Thirrja do të jetë e hapur për 30 ditë nga data 1 Qershor dhe afati për të dorëzuar projektet ideore në mënyrë anonime (me shifra) është data 1 Korrik 2024.

- Format dhe specifikacioni i dorëzimit të projekteve përfshijnë: A1 dhe Maketa për prezantim. Projektet do të ekspozohen më datën 5 Korrik gjatë Festivalit Multikulturor në mënyrë anonime dhe do të ndahet çmimi i parë.

  1. Komiteti Përzgjedhës

Komiteti përzgjedhës do të përbëhet nga tre anëtarë, të cilët do të jenë profesionistë të arkitekturës, profesorë dhe ekspertë të dizajneve multikulturore, planifikimeve urbane, qëndrueshmërisë dhe fushave të ngjashme. Projektet do të jenë të ekspozuara edhe për përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe qytetarëve të Kosovës.

 

  1. Shpërblimi i Projektit më të Mirë

- Çmimi i parë do të fitojë vlerë monetare prej 1000-euro dhe mundësinë për të realizuar projektin ideor në Komunën e Prishtinës.

- Për informata shtesë, mund të kontaktoni përmes emailit tek info@vorae.org mund të vizitoni gjithashtu faqen tonë të internetit në www.vorae.org  ose faqen tonë në Facebook: https://www.facebook.com/voraengo

- Lokacioni i OJQ "Voice of Roma, Ashkali and Egyptians" është në adresën: Rruga "Ali Pashë Tepelena," 10000 Prishtina, Kosovë.