Reagim Publik

Reagim Publik

Në botën e qytetëruar, humori është një armë e fuqishme kulturore dhe politike e cila shfrytëzohet për të ndikuar për një jetë më të mirë të njerëzve, ose për të sjellë një këndvështrim më praktik, më të goditur e më të saktë të fenomeneve sociale.
Askund në botë nuk bëhet humor me pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në një formë diskriminuese sepse kjo do të ndikonte në përforcimin e paragjykimeve/stereotipeve të gabuara për këto tri komunitete dhe nuk përcjellë asnjë mesazh tolerance, përkundrazi, në formën e vet përdorimi i stereotipeve në emisione me audiencë kombëtare luan rolin e kundërt: frymëzon sjelljet mohuese, nxitë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminuese ndaj grupimeve të vecanta.

Një rast i ngjajshëm në vendin tonë ka ndodhur në skeqin humoristik “Qumili - Azeminja “Pastrimi i Mbeturinave" (2020) ku në mënyrë direkte ofendohen komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Përderisa në këtë skeq humoristik qëndrimi në mbeturina pasqyrohet si kënaqësi dhe privilegj, nëncmon pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve haptaz dhe krijon përceptim të gabueshëm tek qytetarët e vendit për mënyrën e jetesës së komuniteteve në vendin tonë. Asnjë njeri me logjikë të shëndoshë nuk do të dëshironte për vetën dhe fëmijët e tij të ketë një jetë pranë mbeturinave duke pas parasysh sëmundjet shëndetësore që mund të barten prej kësaj mënyre të të jetuarit.

Do të ishim një vend shumë më i mirë nëse humoristët dhe aktorët tonë do të shfrytëzonin dhuntinë e tyre duke krijuar vepra që përmes humorit të tyre edukojnë, bëjnë për të qeshur dhe legjitimojnë probleme të mëdha të shoqërisë siç është edhe diskriminimi e në rastin konkret antigjipsizmi.

Ne si organizatë e shoqërisë civile e dënojmë këtë veprim i cili nxitë dhe përforcon paragjykimet e gabuara ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe promovon gjuhen e urrejtjes ndaj këtyre komuniteteve. Andaj kërkojmë që video me përmbajtje të tilla të largohen nga transmetimi dhe të ndalohet prodhimi i tyre. Gjithashtu kërkojmë që z.Radogoshi të kërkojë falje publike ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për gjuhën denigruese dhe paraqitjen e mënyrës së jetesës së tyre në formë diskriminuese.

Me respekt
OJQ “VoRAE”